Ervis Martinaj tre vite më parë u shoqërua për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur në lokalin Monopol, në ish-Bllok. Ai kishte qenë i arrestuar edhe si person i dyshuar për grabitjen dhe torturimin e prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, por gjykata e liroi nga qelia për mungesë provash. Megjithatë emri i tij u rikthye me ngjarjen në zonën e ish-Bllokut ku mbeti i plagosur edhe vetë me një plumb në qafë. Sot Martinaj i vranë nipin në masakrën e Fushë Krujës bashkë me dy të rinj të tjerë nga zona e Kurbinit. Megjithatë kjo nuk është humbja e parë në radhët e tij.
Erigers Mihasi, 32-vjeç, u ekzekutua mbrëmjen e 13 nëntorit në Tiranë bashkë me mikun e tij Armand Dumani teksa lëviznin në makinën luksoze në zonën e Astirit. Autorët e qëlluan fillimisht mjetin nga mbrapa dhe më pas i dolën nga ana e pasagjerit ku zbrazën kallashnikovin duke i lënë dy të rinjtë të vdekur. Pas ngjarjes mjeti i autorëve u gjet i djegur në Thumanë, dhe brenda saj ishin edhe 2 kallashnikovët e përdorur në ekzekutimin e të rinjve.
Mihasi ishte mik i ngushtë edhe me Santiago Malkon, ish-policin e vrarë në Porcelan më 27 gusht 2019, me të cilin dyshohet se kanë qenë autor të plagosjes me armë ndaj kushërinjve Rivelino dhe Juxhin Mumajesi në Tiranë në 2018, ku nga sulmi mbeti i plagosur edhe shoku i tyre Ibrahim Durollari.
Vrasja e Santiago Malkos
Santiago Malko u vra në zonën e Porcelanit në gusht të vitit 2019 teksa u qëllua në makinën e tij BMW X5. Santiago Malko ish-punonjës policie kishte qenë më parë i arrestuar. Në lidhje me vrasjen e tij është arrestuar Blendi Teta.
Vrasja e Fabian Gaxhës
Fabian Gaxha u vra në lokalin “Monopol” në ish-Bllok në 4 tetor të vitit 2018 pas një përplasje mes dy grupeve. Gaxha ishte i shoqëruar bashkë me mikun e tij Ervis Martinaj, ku pas një konflikti mes palëve, u vra me armë zjarri nga Mervjol Billo, truproja i Ervin Matës. Të plagosur mbetën edhe Ervis Martinaj si dhe miku i tyre Eljo Hato.
Sot ishte radha e nipit të Martinaj nga persona që dukej se e dinin ç’po bënin. Pasi e ndiqnin prej muajsh, sot e ekzektuan në një pritë, pikërisht në zonën e tyre, duke u larguar pa zhurmë e pa shenja pas në drejtim të Niklës. Pas për Policinë lanë kufomat dhe një dosje të re të hapur. Po ashtu edhe një mik më pak për Martinaj, i cili edhe vetë është shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”. Nuredin Dumani foli, e “sezoni” nisi….