Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në bashkëbisedimin që po zhvillon në Fier me qytetarë dhe ekspertë lidhur me Reformën Territoriale, u ndal edhe te vendimi i Britanisë së Madhe për ta shpallur atë “non grata”.
Duke e quajtur këtë akt një vepër të lobimeve të kryeministrit Rama dhe George Soros, lideri historik i të djathtës këmbënguli se edhe nëse e gjithë bota do ta shpallte të padëshirueshëm, ai përsëri do të vijonte me denoncimet.
“Ju e morët vesh që para 3 ditësh njoftoi homeoffice se jam shpallur non grata. Mund t’ju them se Hasan Zylkokamberi ishte gjeni kur shkruante se ‘paraja në hyn të Qabes shet vakëfin e Hatimesë’. Ky miqtë e mi është një akt i tmerrshëm korruptim dhe unë mbetem i vendosur të luftoj për ju korrupsionin me të gjithë forcën time nga cilido qoftë. Akti është vazhdim i lobimit të Soros dhe Ramës ku në një vit rresht nuk nxorrën dot një fakt të vetë. As në 100 vjet nuk mund të nxjerrin. Pas kësaj u duhet edhe një tjetër akt që të thonin e ka bërë edhe Britania. Edhe nëse e bën e gjithë bota me korrupsion do ta denoncoj. Asgjë nuk më ndalon. Sikundër deri sot do të denoncoj me gjithë forcën time kriminelët, korrupsionin e kujtdo zyrtari shqiptarë dhe i huaj. Kauza jonë është e drejtë. Ne do të fitojmë”, tha Berisha.