Në dosjen hetimore të ngjarjes së 18 marsit në rrugën “Zef Jubani”, në Tiranë, ku u vra me armë zjarri Jurgen Kurti, për identifikimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes, kanë ardhur në ndihmë dhjetëra kamera sigurie. Ndërkohë, nga deklarimet që ka dhënë shtetasi Elsi Levendi, me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ka shpjeguar se më datë 18 mars, rreth orës 18:00, ai është takuar me shtetasin Klodjan Bane (Buxhuku) dhe pasi ka biseduar pak me të ai është larguar në drejtim të Stadiumit “Dinamo” dhe kur ka qenë në afërsi të sheshit “Willson”, atij i ka ardhur një mesazh në telefonin e tij nga një numër i paregjistruar, ku i thuhej: “Kalo pak te lagjja mbrapa Postës nr.8 dhe shiko mos shikon shtetasin Jurgen Kurti dhe më thuaj nëse e sheh këtë person”.
Ai i është përgjigjur duke i thënë se nuk e njihte, por atij i ka ardhur edhe një mesazh tjetër ku i thuhej: “Vetëm rri aty, nëse e shikon më njofto”. Më pas ai është ulur në një lokal me verandë për rreth një orë dhe duke qëndruar në këtë lokal për një moment ai ka parë që Jurgen Kurti ka dalë nga palestra dhe i ka dërguar mesazh numrit pa emër duke i shkruar: “Doli një person, por nuk jam i sigurt nëse është ai personi”, raporton Panorama.
Në moment i ka ardhur një mesazh ku i thuhej: “Është një djalë i gjatë, i bëshëm”. Pasi ai e ka shoqëruar me sy këtë person për disa sekonda dhe pasi ky person ishte larguar, ai ka dëgjuar disa të shtëna arme.
Shtetasi Elsi Levendi, në shpjegimet e tij ka sqaruar se pasi ka dëgjuar krismat është trembur dhe është larguar me këmbë para Postës nr.8, ka marrë një taksi, është ulur në sediljen e pasme dhe pasi kanë kaluar Kopshtin Zoologjik i ka kërkuar shoferit të ndalonte pasi donte të blinte cigare.
Shoferi ka ndaluar, ai ka zbritur, ka blerë paketën me cigare dhe ka shkuar poshtë pallatit, ku i ka dhënë lekët shoferit të taksisë e më pas është ngjitur në banesë. Pas rreth 10 minutash i ka telefonuar shtetasi Klodi Bane, i cili i ka kërkuar të zbriste poshtë. Ai ka zbritur, është takuar me Klodin, i cili i ka ardhur me automjetin “Audi A6”, me targë AA 301 RM. Ka qëndruar poshtë pallatit me të 5 minuta dhe më pas janë ngjitur të dy në shtëpinë, ku kanë ndenjur pak dhe më pas e ka përcjellë Klodin poshtë pallatit, i cili është larguar me “Audin” që erdhi.
Me këtë mjet, shtetasi Elsi Levendi shpjegon se e kishin shoqëruar në Polici atë ditë, pra më datë 25 mars. Levendi shpjegon se ditën e nesërme, më datë 19 mars, poshtë pallatit të tij ka shkuar shtetasin Klodian Bane (Buxhuku) me automjetin tip “Audi A6”, me targë AA 301 RM. Ai i ka thënë se nëse donte të lëvizte me automjet, të merrte çelësat e makinës tip “Mercedes Benz”, me targë AA VN, të cilat ia ka dhënë. Ky automjet ndodhej i parkuar poshtë pallatit të tij, por që shtetasi Elsi Levendi nuk kishte dijeni se kush e kishte parkuar. Me këtë automjet Levendi ka lëvizur nga mëngjesi deri pasdite, rreth orës 18:00, ku më pas e ka parkuar prapa Stadiumit “Dinamo” dhe çelësin ia ka dhënë shtetasit Klodjan Bane.
Po kështu, ai ka shpjeguar se nuk mbante mend numrin telefonik që i ka dërguar mesazhe, por mendon se mesazhet mund t’i ketë dërguar dikush i njohur nga shokët e tij, Klodjan Bane, Olsi Qalliaj ose Alesio Berberi. Automjeti “Audi” me targa AA 301 RM, është në pronësi të shtetasit Olsi Qalliaj, ndërsa automjeti “Mercedes Benz E Class”, me targa AA 225 VN, është në pronësi të shtetasit Klodjan Bane. Nga kontrolli fizik i ushtruar, shtetasit Elsi Levendi, gjatë kapjes së tij, në xhupin e tij është gjetur një mbështjellje me plastmas, ku brenda saj ndodhej lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, ku gjatë peshimit rezultoi me peshë të përgjithshme prej 0.4 gramësh. Nga verifikimet e targave të makinës që është përdorur si dhe pronësisë, është bërë e mundur të kapet shtetasi Alesio Berberi, ku gjatë kontrollit të banesës i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një pistoletë “TT”, të cilën e kishte në një çantë dore sipër televizorit, me tre fishekë dhe dy fishekë sipër sirtarit në dhomën e gjumit të fëmijëve.