Kyriakos Mitsotakis po përjeton ditët më të vështira të qëndrimit si kryeministër i Greqisë. Një skandal përgjimesh mund të kthehet në krizë serioze. Afera u zbulua nga gazetarët investigativë grekë. Reporteri për çështjet financiare, Thanasis Koukaqis është përgjuar. Në celularin e tij u identifikua prezenca e programit të përgjimit, të quajtur Predator. Javën e kaluar doli se gazetari vëzhgohej nga shërbimi sekret grek.
Nikos Androulaqis, kryetari i socialdemokratëve PASOK, partisë së tretë më të madhe të vendit dhe anëtar i Parlamentit Europian, u vu re se ishin bërë përpjekje për t’i instaluar programin Predator. Politikani nuk klikoi tek linku me të cilin do të ishte aktivizuar softwari, por informoi shërbimin e sigurimit kibernetik të Parlamentit të BE-së.
Androulaqis kërkoi përgjigje nga qeveria greke. Ai mësoi se telefoni i tij ka qenë përgjuar për disa kohë nga shërbimi sekret, në periudhën kur ai pati kandiduar për kryetar partie. Sipas shefit të shërbimit sekret grek, Panajotis Kontoleon, shërbimet sekrete ukrainase dhe armene kishin kërkuar vëzhgimin. Ambasadorët e të dy vendeve e hodhën poshtë këtë pretendim. Parlamenti grek do të merret më 22 gusht me skandalin e përgjimit.
Kryeminstri nuk donte të merrte përsipër përgjegjësi personale për skandalet e përgjimit, por përmendi dorëheqjet e shefit të shërbimit sekret dhe “shefit të zyrës së kryeministrit”. Ai me mjeshtëri e shmangu formulimin për shefin e zyrës “sime”: “Unë nuk dija gjë për këtë dhe nuk do ta kisha lejuar një gjë të tillë,” tha kryeministri grek.
Mitsotakis vuri theksin tek roli i rëndësishëm i shërbimeve sekrete, i cili duhet kontrolluar më mirë në të ardhmen, në bazë të një plani katër pikësh. Ky institucion ndodhet para “sfidave të mëdha në Egje dhe Evros”, tha ai duke pasur parasysh konfliktet me Turqinë.
Deri më tani kanë dhanë dorëheqjen dy persona me emër nga rrethi i ngushtë i Mitsotakis. Fillimisht dha dorëheqjen Grigoris Dimitriadis, shefi i zyrës së Mitsotakis dhe krahu i djathtë i tij. Njëkohësisht dhe nipi i tij. Pak më vonë dha dorëheqjen edhe vetë shefi i shërbimit sekret, Kontoleon. Pas fitores në zgjedhje në vitin 2019, Mitsotakis i pati marrë përsipër vetë kompetencat për shërbimin sekret. Megjithatë qeveria nuk pranoi të ketë ndonjë lidhje me vendosjen e predatorëve dhe skandalet e përgjimit. /DW/