Ilir Meta e konsideron qesharake nismën e Partisë Socialiste për zbulimin e spiunëve në politikë. Gjatë konferencës me gazetarët nga selia e Partisë së Lirisë, Meta iu rikthye dosjes ku përmendet si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ai ka thënë se mostrat manipuluan dosjen për të sulmuar Presidentin! Meta përmendi edhe tre persona me iniciale.
“Tao Tao, është një njeri vërtet që na shton edhe humorin, pavarësisht se përfshirjet e tij me grupet kriminale kanë sjellë shumë drama dhe probleme aq sa partia e tij e spostoi nga Elbasani. Parlamenti të mblidhet që tani meqë ishte tromaksur zonja Lindita e parlamentit. Në rastin e I.M të Tao Tao, provohet shumë qartë që në kohën kur ka qenë Ilir Meta Presidenti i Republikës, shefi i Tao Taos ka urdhëruar një mbrojtje për N. L dhe ish-shiksin A.H, të cilët në bashkëpunim me persona të tjerë kanë manipuluar dosjen e qytetarit F.T, i cili është edhe shtetas amerikan.
Nëse nuk tromakset Lindita Nikolla, do të tronditen senatorët atje sesi guxohet edhe pas 30 vitesh manipulohet në mënyrë kriminale e një të riu 19-vjeç tani qytetar i lirë amerikan vetëm për të goditur politikisht Presidentin e Republikës.
Manipulimi ka ndodhur para 25 korrikut. Përmasat e këtij skandali do të jenë për Edvin Kristaq Ramën. Ai ka tejkaluar çdo vijë të kuqe, por edhe vijat e zeza dhe çdo njeri që ka një foto me Edvinin do ta ketë për turp dhe shumë shpejt do të grisë atë. Do të shkoj vetë në Parlament, në seancë plenare dhe ata t’i sjellin të gjithë këta N. L, A.H apo të tjerë”.
