Gjatë vizitës dy ditore në Prishtinë, të parën si Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj u prit edhe nga komandanti i KFOR, Gjeneral Major Ferenc Kajári. Ky i fundit e ka informuar Begajn mbi situatën e sigurisë në Kosovë e veçanërisht në veri të saj, ndërsa ka vlerësuar profesionalizmin e efektivëve të FA, në misionin e KFOR.
Presidenti vlerësoi rolin e pazëvëndësueshëm të NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin. Në Pejë, kreu i shtetit u takua me efektivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pjesë e misionit paqeruajtës KFOR.
Teksa vlerësoi kontributin e çdo efektivi të FA, Presidenti kërkoi kujdes në përmbushjen e misionit të tyre. “Rendi kushtetues i Kosovës nuk duhet cënuar”, theksoi Begaj gjatë takimit me efektivët e Forcave të Armatosura.
