Në 2016 tentoi të vriste një person në atentat, por Alban Bruçi ka mohuar të ketë konflikte. Mbrëmë në Shkodër, në lagjen “Rus”, teksa po lëvizte me makinë, ai u qëllua me armë, por që nuk u lëndua nga atentati.
“Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. Kam qenë duke shkuar në shtëpi kur dy persona me motoçikletë u afruan dhe qëlluan ndaj meje. Në atë moment u mundova që të shpëtoj dhe eca pak metra me makinë. Pasi u larguan nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë”,-mësohet të ketë thënë.
25 vjeçari është qëlluar me 19 plumba teksa ndodhej brenda automjetit të tij, por asnjë prej plumbave nuk e ka kapur duke mos u plagosur. Menjëherë pas ngjarjes Alban Bruçi ka lënë automjetin e mbushur me plumba dhe ka shkuar në policinë e Shkodrës duke kallëzuar për ngjarjen e ndodhur.
Bruçi ka qenë në ecje e sipër me automjetin tip “Audi” kur papritur dy persona me motoçikletë janë afruar dhe kanë qëlluar në drejtim të tij në ecje e sipër.
Efektivët dhe prokuroria vijojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri më tani policia nuk ka arritur që të identifikojë autorët ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë të subjekteve aty afër për të mësuar dinamikën e ngjarjes dhe për të arritur në identifikimin e autorëve. Sipas dyshimeve të policisë autorët nuk janë profesionistë siç ka ndodhur në disa atentate të tjera me të plagosur apo edhe viktima.
Bruçi në vitin 2016 ka plagosur një person afër teatrit “Migjeni” dhe asokohe është arrestuar si i dyshuar për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Policia dyshon se atentati ka ardhur për shkak të disa konflikteve që mund të ketë patur ky shtetas kohët e fundit edhe pse e mohon një gjë të tillë. Policia vijon hetimet për ta zbardhur të plotë ngjarjen.
