Pas Luiza Gegës, një tjetër sportist me arritje ndërkombëtare u nderua nga kryeministri Edi Rama. Boksieri Florian Marku u nderu me medaljen ‘Ylli i Madh i Mirënjohjes’.
“Ne sot jemi këtu për të celebruar një histori jetësore të ngjashme me historinë jetësore të qindra mijëra shqiptarëve të cilët si fëmijë të vegjël bebe apo në moshë shumë të vogël janë marrë përdore nga prindërit në rrugën e migracionit dhe bëjnë suksese. Bëjnë rëndom një sukses që nuk bën lajm. Suksesi i Florianit është sukses që bën lajm, suksesi i Florinait është kuqezi. Nuk jemi këtu për të bërë krahasime, por meqë disa e duan këtë krahasim, në aspektin ceremonial e kemi bërë dallimin, e kemi nderuar Luizën me kordonin i madh që është më i larti në shkallën e vlerësimeve, i takon krerëve të shteteve, qeverive, personaliteteve shumë të larta politike shoqërore që kanë impakt në shoqëri. Pas kordonit vjen ylli i madh. Vlerësim i lartë që e kemi bërë për një sërë personalitetesh, përfshirë edhe dy ambasadorë të rëndësishëm. Sot e bëjmë këtë vlerësim për një ambasador të shoqërisë që prejardhjen e ka në Kosovë nga gjyshi dhe Myzeqeja nga gjyshja.“
