Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë reaguar pas marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mbi dokumentet për lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Lideri historik i demokratëve, ndërsa e konsideron një hap në drejtimin e duhur, shkruan se PD e ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.
“Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, si dhe te Sekretarit te Pergjitheshem te Nato-s Stoltenberg përshendet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të medha midis dy vendeve. Vetëm nje Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE.”
Sakaq, Meta shprehet se Partia e Lirisë beson se vetëm përmes dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA arrihet një zgjidhje e qëndrueshme.
“Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve.”
