Në disa raste aksidentesh ka ndodhur që në drejtimin e mjetit të kenë qenë minorenë, apo të papajisur me patentë.
Një fenomen që ndodh shpesh në Shqipëri, por që në disa raste edhe janë parandaluar. I fundit është regjistruar në qytetin e Kukësit mëngjesin e kësaj të hëne. Efektivët e policisë rrugore kanë parandaluar një aksident të mundshëm, duke ndërhyrë menjëherë.
Ata kanë ndaluar një mjet i cili drejtohej nga një 16-vjeçar, sigurisht i pa pajisur me leje drejtimi për shkak të moshës. Ndërkohë në mjet udhëtonin dhe tre adoleshentë të tjerë nën moshën 12 vjeç.
Përtej kësaj ngjarje, ata që duhen ndërgjegjësuar janë prindërit. Ndodh që fëmijët i marrin mjetet dhe pa lejen e tyre, apo dhe ndonjëherë ua japin vetë makinën. Në rastin konkret, babai i 16-vjeçarit është shprehur se djali e kishte marrë mjetin pa lejen e tij. Fatmirësisht policia arriti ta ndalojë, por një fenomen i tillë është mjaft shqetësues në shoqërinë shqiptare.
Më të rënda janë rastet kur festohen mbrëmjet e maturës, ku shtohet dhe përdorimi i alkoolit dhe ka pasur raste incidentesh.
