Gjykata për Krime të Rënda ka rrëzuar kërkesën e ish prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla. Ky i fundit kundërshtoi zgjatjen e afateve të hetimit.
Në këtë mënyrë mbetet në fuqi kërkesa e prokurorisë që hetimet të vazhdojnë dhe tre muaj të tjera. Ish kryeprokurori akuzohet për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe shpërdorim detyre.
Rreth një dy më parë, Krimet e Rënda zgjatën me 3 muaj afatin e hetimeve, ndërsa me anë të një kërkese të regjistruar në datë 25 mars në Gjykatë, Llalla, kërkon mbylljen e tyre, duke e konsideruar të padrejtë vendimin.
Ish prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla u vendos nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda menjëherë pas valës së akuzave që iu drejtuan atij, sapo dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë shqiptare.
Dorëheqja e tij solli në fakt edhe ndërprerjen e vetingut, që u bë gjithashtu shkak për të hapur një seance dëgjimore, nëse duhej apo jo të ndërpritej vetingu dhe sigurisht në këtë pikë ish prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla fitoi.
