Pas denoncimit në facebook, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkoi edhe në zonën e Shijakut ku ka raportuar mbi zjarrin e disa mbetjeve. Meta ka akuzuar Ramën për djegien e tyre. Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana thotë se po i depoziton mbetjet falas në landfillin e Sharrës dhe nuk ka qëllim të djegë mbeturinat. Për të djegia e koshave të mbeturinave bëhet e qëllimshme për të nxirë punën e bashkisë së Shijakut.
“Po bën opozitën me bashkinë e Shijakut, që e kanë filluar që në muajin gusht me zjarrvënie të qëllimshme. Na ka ndodhur dhe në muajin gusht që në orën 1 të natës marrin iniciativa të tilla dhe t’u vënë flakën. I djegin natën me qëllim që të përphapen lajme që bashkia djeg plehrat.
Depozitimi i mbetjeve në bashkinë e Shijakut është bërë në bashkinë e Tiranës falas në landfillin e Sharrës. Që nga koha e mbylljes së Porto Romanës, bashkia e Shijakut ka bërë depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës. Bashkia e Shijakut ka hapur tenderimin për menaxhimin e mbetjeve që të shkojnë në një landfill.
Për aq kohë sa nuk është mbyllur tenderimi, bashkia e Shijakut do ti depozitojë në Sharrë. Deri në këtë moment që flasim bashkia e Shijakut nuk ka paguar asnjë qindarkë. Edhe këto ditë shtatori nga përfundimi i kontratës, bashkia po i çon falas në Sharrë”.