Kreu i PD Sali Berisha reagoi sot ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama i cili u kërkoi autoriteteve policore që të tregojnë se ku është Ervis Martinaj.
Gjatë një bashkëbisedimi me ekspertë dhe gazetarë, Berisha deklaroi se Ervis Martinaj ndodhet tek lojërat e fatit, ku ka lidhje dhe Olsi Rama.
“Sot Edi Rama fliste me Rrumbullakun, pyeste ku është Vis Martini, po ia tregoj unë ku është Vis Martini. Është te lojërat e fatit, është te Olsi, ai ishte i lojërave të fatit, i vëllai i tij është aty. Se çfarë ndodhi me atë nuk e di, por di që lojërat u bënë të ligjshme tani. Gjithçka lëviz nga një trajektore që vjen nga kupola e poshtë, situatë trishtuese por unë jam optimist. Pavarësisht nga shkalla e thellë e dëmtimit të policisë së shtetit. Nga rekrutimi dhe angazhimi i banditëve në polici, përsëri aty ka me qindra e mijëra burra e gra që me padurim presin të zbatojnë ligjin”, tha Berisha.
Prej ditësh policia po verifikon disa të dhëna për zhdukjen e Ervis Martinaj. Denoncimi për zhdukjen e Ervis Martinajt u bë nga familjarët e tij, konkretisht xhaxhai.
Kur ka bërë denoncimin në polici, xhaxhai ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Martinajn, por përmes personave të tretë dhe se ka dyshime se nipi i tij mund të jetë rrëmbyer.
Pista e parë që po hetohet është ajo e rrëmbimit me pasojë eliminimin fizik të personazhit të njohur të botës së krimit pas denoncimit të familjarëve të tij. Pista tjetër është ajo e një inskenimi të mundshëm me qëllim humbjen e gjurmëve.
