Largimi nga terreni i Ervis Martinajt, qoftë i eliminuar fizikisht apo i zhdukur vetë duket se ka krijuar një realitet të ri në botën e krimit të organizuar në vend, të cilët qarkullojnë qindra miliona euro dhe kanë të infiltruar persona të tyret në polici dhe institucionet e tjera ligjzbatuese. Bëhet fjalë për nivele tepër të larta të krimit të organizuar, të cilët mund të kërcënojnë edhe njerëzit e afërt të ministrave apo kryeministrit.
Siç tha gazetari Artan Hoxha në ABC, ridimensionimi i krimit të organizuar nisi në vitin 2018, fill pas masakrës së ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë njëri prej njerëzve të Martinajt, ndërsa ky i fundit u plagos në qafë.
Grupi i madh kriminal i krijuar fillimisht me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt, tashmë duket se do të jetë një problem edhe për policinë dhe vetë shtetin pasi rezulton të ketë burime financiare tepër të mëdha nga njëra anë dhe një skudër vrasësish profesionistë nga ana tjetër.
“6-7 grupe të mëdha u bashkuan, pranuan edhe konflikt vetëm për të nxjerrë jashtë loje Ervis Martinajn. Ata përdorën të gjitha lidhjet. Pjesë e kësaj strukture u bënë ish pjesëtarë edhe të forcave të zbatimit të ligjit”, tha Hoxha.
Ndërkohë që prej javësh mbetet mister fati i Ervis Martinajt, deri më tani nuk ka patur një reagim nga policia për ngjarjen e bujshme.
