Eshtë mbyllur me fyerje, kërcënime dhe përplasje fizike takimi i demokratëve të Klosit në rrethin e Matit.
Mësohet se janë mbledhur disa prej antarëve të PD-së për të propozuar kandidatët e mundshëm për kryetar të bashkisë Klos.
Disa nga demokratët e mbetur në këtë zonë kanë propozuar ish deputetin Bedri Hoxha, ndërsa të tjerë janë shprehur se kandidat duhet të jetë Basir Çupa, duke dhënë argumentat e tyre për kontributin e dhënë ndër vite, raporton tirananews.al.
U duk se gjithçka shkoi mirë por në fund të mbledhjes ka nisur një lum sharjesh, fyerjesh e kërcënimesh mes dy rivalëve demokratë. Kur është tentuar goditja me grushta e shkelma kanë ndërhyrë të pranishmit dhe kanë ndalur agravimin e situatës.
Ndërkohë fjalori banal dhe fyerjet kanë vijuar për disa minuta.
Por ky nuk është incidenti i vetëm që ndodh mes njerëzve të Bashës dhe atyre të Berishës. Në vitin 2017 ishte sërish një incident i ngjashëm para takimit të Bashës me simpatizantët demokratë në kuadër të fushatës për zgjedhjen e kreut të PD.
Ish-deputeti demokrat Bedri Hoxha do të goditej aso kohe nga një person pranë Pallatit të Kulturës dhe do të dërgohej në spital për t’u mjekuar.
Aso kohe do shoqërohej në polici shtetasi D.Ç për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje’’, parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal. / tirananews.al

