Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla po merr pjesë në Samitin e 21-të Botëror kundër Terrorizmit: “Terrorizmi në sytë e stuhisë”, organizuar nga Instituti Kombëtar Kundër Terrorizmit në Izrael, në datat 11-15 shtator.
Në samit marrin pjesë parlamentarë, personalitete të larta shtetërore, akademikë dhe ekspertë nga mjaft vende të botës, njoftoi sot zyra për shtyp e Kuvendit.
Ditën e parë të punimeve, më 11 shtator, samitin e përshëndeti Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Alejandro Mayorkas.
Si folëse kryesore në samit, kryetarja e Kuvendit, Nikolla, do të prezantojë nesër qëndrimet e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, dhunës e luftërave pushtuese, duke u fokusuar në luftën kundër terrorizmit kibernetik.
