Për Sali Berishën, Reforma Territoriale nuk është gjë tjetër vetëm reforma e punësimit partiak. Ai u shpreh se qeveria ka punësuar 50% më shumë punonjës në 61 bashki, sesa kanë qenë të punësuar në 420 bashki e komuna.
“Reforma territoriale e qeverisë aktuale është një nga dështimet madhore në historinë e vendit, dështim, i cili nxori në pah diskriminimin madhor të qytetarëve shqiptarë, pabarazinë e tyre në eksesin ndaj shërbimeve. Një ndarje territoriale kryekëput e bazuar në dëshira partiake dhe në kundërshtim flagrant me kriteret e përcaktuara nga Kongresi i Autoriteteve Rajonale të Europës, në kundërshtim të hapur me interesat e qytetarëve shqiptarë. Por kjo reformë është një dështim i madh, gjithashtu sepse ishte presupozuar që të lehtësonte barrën e administratës mbi qytetarët shqiptarë. Rrogëtarët që këta qytetarë paguajnë për njësi vendorë. E vërteta është se nga 420 bashki e komuna, sot në 61 njësi të qeverisjes vendore, personeli, punonjësit që paguhen në këto 61 njësi janë mbi 50 përqind më shumë sesa nga ata që paguheshin në 420 njësi. Kjo reformë nuk ishte gjë tjetër vetëm reforma e punësimit partiak.” tha Berisha.
Mes të tjerash, ish-kryeministri Sali Berisha ka theksuar se Rama bëri pazare të papërgjegjshme për reformën territoriale. Por sipas tij tanimë ata që bënë pazare me Ramën nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike.
