Afro 5 mijë pedagogë sot dolën në protestë, dhe nënkryetari i Kuvendit, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj nga seanca e sotme, tha se pagat e profesoratit kanë mbetur si në kohën e Fatos Nanos.
“Profesorati shqiptar është lënë në mëshirë të fatit, ai është thjesht i varfër, me rroga mujore të paindeksuara as edhe një qindarkë që prej kohës “arkeologjike” të Fatos Nanos. Rroga e tij është shumë afër asaj të një mësuesi të thjeshtë. Çdo kërkesë e universiteteve ka hasur në përbuzjen dhe ndoshta edhe urrejtjen patologjike për lirinë e botës universitare si hapësira e fundit e mendimit të lirë në këtë vend.
Pedagogët janë konsideruar si birbo, si leshko që kërkojnë qiqra në hell, kur vatani ka maraze. Të varfërosh profesoratin, do të thotë ta flakësh elitën e inteligjencies në luftën e përditshme të mbijetesës e të fashisësh çdo potencial njerëzor, kërkimor, profesional në dobi të individit e të shoqërisë. Kampusi universitar ka mbetur një ëndërr në sirtaret e premtimeve elektorale. Në përgjithësi regjistrimet kanë pësuar rënie. Le të bëjmë një krahasim për rrogat neto në universitetet e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Profesori i rregullt i Kosovës 1400 euro, ndërsa profesor doktori i Tiranës-950 mijë lekë në muaj. Profesori i asociuar i Prishtinës 1290 euro , Profesor i asociuar i Shqipërisë 850 mijë lekë. Doktori i shkencave andej 900 euro, këtej 750 mijë lekë”, tha Gjekmarkaj.
