Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi të hënën të rrëzojë ankimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili kundërshtoi vendimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për zgjatje me tre muaj të hetimeve të nisura në ngarkim të tij për pastrimi parash.
Seanca e drejtuar nga gjyqtari Bib Ndreca u mbajt me dyert të mbyllura, pa praninë e medias dhe përfaqësuesi ligjor i Llallës, refuzoi të komentonte mbi vendimin e gjykatës.
Por ndërkohë që procesi ndaj Llallës mbulohet nga sekreti hetimor, një raport i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, i siguruar nga BIRN nëpërmjet një kërkesë për të drejtë informimi, ngre shqetësime mbi transaksionet ish-Prokurorit të Përgjithshëm me biznesmenin, Ardian Beshiri – për të cilin gjatë viteve 2012-2016 ka pasur disa referime nga policia në prokurori për vepra të ndryshme penale.
Gjithashtu, i njëjti shtetas sipas DSIK-së është dënuar në vitin 1993, me një vit burgim për vjedhje me dhunë. Në vitin 2016, Llalla i ka shituar kompanisë LIM- EM sh.p.k – në pronësi të Beshirit, një tokë në Mjull Bathore me vlerë 249 mijë euro, çfarë ka ngritur shqetësime në organet e sigurisë kombëtare për një marrëdhënie të papërshtatshme biznesi. [Kliko këtu për dokumentin]
“Për subjektin e rivlerësimit Adriatik Xhemal Llalla, administrohen informacione konfidenciale dhe informacione të tjera, prej të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte të papërshtatshme për persona të përfshirë në krimin e organizuar,” shprehet DSIK, në raportin e përgatitur për organet e rivlerësimit.
Raporti i DSIK-së gjithashtu zbulon se Llallës iu revokua viza nga ambasada e SHBA, pasi bashkëshortja e tij përdori vizën diplomatike për një udhëtim privat drejt Amerikës.
I pyetur nga BIRN nëpërmjet telefonit, Llalla mohoi të kishte dijeni mbi raportin e DSIK-së.
“Nuk e kam marrë këtë raport dhe nuk kam jam njohuri mbi të,” deklaroi Llalla, duke shtuar se do të informohej përpara se të komentonte.
Ndërkohë, zoti Beshiri nuk ishte i arritshëm për koment. Sipas një punonjëse të kompanisë LIM-EM, me të cilën BIRN komunikoi nëpërmjet telefonit, ai ndodhej jashtë Shqipërisë. /BIRN