Në muajin gusht të këtij viti, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ish-ministrja e brendshme britanike, Priti Patel nënshkruan një ujdi, sipas të cilës do të përshpejtoheshin procedurat e deportimit të shtetasve shqiptarë që kishin kaluar ilegalisht kanalin e La Manshit.
Por, autoritetet britanike thonë se nuk mund ta zbatojnë këtë marrëveshje pasi bie në kundërshtim me legjislacionin vendas. Pohimi është bërë nga departamenti legjislativ i Ministrisë së Brendshme britanike, që u ka kthyer përgjigje organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
53 përqind e shqiptarëve që kërkojnë azil në Britaninë e Madhe u jepet ky status. Shifrat konfirmojnë se për më shumë se gjysmën e shqiptarëve, vendlindja e tyre nuk konsiderohet një vend i sigurt për të jetuar.
