Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i bën thirrje qeverisë që të heqë dorë nga amnistia fiskale dhe të zbatojë rekomandimet e FMN-së.
Në një konferencë për mediat, Meta e argumentoi qëndrimin e tij me arsyetimin se kjo nismë do të falimentonte biznesin dhe do të nxiste krimin në vend. Për të kjo do të dëmtonte edhe procesin e nisjes së negociatave të integrimit.
“Do të dëmtohej në mënyrë fatale biznesi i ndershëm që do falimentonte dhe iniciativa e lirë vendase, do largoheshin edhe ata pak investitorë që kanë mbetur. Do të inkriminohej e gjithë shoqëria, do të minohej besimi i qytetarëve te shteti i së drejtës dhe do të nxitej më shumë ekonomia informale e kriminale, do inkurajohej perceptimi i gabuar se çdo veprimtari kriminale do të amnistohej në të ardhmen dhe do të rriste krimin e rrugës dhe më shumë shqiptarë në burgje. Shqipëria falë kësaj qeverie është kthyer në bazë operacionale mbarë botës”.
