Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me gratë e mbijetuara nga kanceri i gjirit.
Në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Muajit për Ndërgjegjësimin mbi Kancerin e Gjirit, diplomatja amerikane ka dhënë mesazhin për gratë që të kujdesen për shëndetin, duke kryer kontrolle dhe mamografi të rregullta.
Postimi i ambasadës:
Ambasadorja Yuri Kim u bashkua me të mbijetuara të kancerit të gjirit, doktorë dhe zyrtarë publikë këtë paradite, në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë në kuadër të Muajit për Ndërgjegjësimin mbi Kancerin e Gjirit. “Qoftë duke vuajtur nga kanceri i gjirit vetë, një person i dashur për ju mund të ketë kaluar kancerin e gjirit, si e mbijetuar, si përkujdesëse, si mbështetëse, secila nga ne është prekur nga kanceri i gjirit”, tha Ambasadorja Kim. Ajo i bëri thirrje të gjithave grave që të kujdesen për shëndetin e tyre me kontrolle dhe mamografi të rregullta, të cilat mund ta pikasin sëmundjen herët dhe ta parandalojnë që të bëhet vdekjeprurëse.