Këtë vit Nobeli për Paqen e merr një person dhe dy organizata. Avokati bjellorus i të drejtave të njeriut Ales Bialiatski dhe dy organizata nga Rusia dhe Ukraina, Memorial dhe Qendra për Liritë Civile.
Në arsyetimin e dhënies së çmimit theksohet se ata, së bashku ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të dokumentuar krimet e luftës, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe pushtetit. Së bashku, avokati nga Bjellorusia dhe dy organizatat, kanë demonstruar rëndësinë e shoqërisë civile për paqen dhe demokracinë.
Ales Bialiatski ishte një nga nismëtarët e lëvizjes demokratike që u shfaq në Bjellorusi në mesin e viteve 1980. Ai ia ka kushtuar jetën e tij promovimit të demokracisë dhe zhvillimit paqësor në vendin e tij. Ndër të tjera, ai themeloi organizatën Viasna (Pranvera) në vitin 1996 në përgjigje të ndryshimeve të diskutueshme kushtetuese që i dhanë presidentit pushtete diktatoriale dhe që shkaktuan demonstrata të gjera.
Viasna ofroi mbështetje për demonstruesit e burgosur dhe familjet e tyre. Në vitet që pasuan, Viasna u zhvillua në një organizatë me bazë të gjerë të të drejtave të njeriut që dokumentoi dhe protestoi kundër përdorimit të torturës nga autoritetet kundër të burgosurve politikë.
