Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga aktet e dhunës dhe sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve. Në deklaratën e publikuar, policia kërkon shmangien e zonave ku po ushtrohen akte dhune dhe apelon që qytetarët të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë protestës së sotme, efektivët janë përballur me sulme të vazhdueshme që kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre. Në videon e publikuar nga policia shihen sende të përdorura gjatë përplasjeve, mes tyre gozhdë, gurë, shufra hekuri, molotovë, zare metalikë dhe fishekzjarrë.
Policia thekson se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj, ndërsa dhuna ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen ligjërisht.
Në deklaratë, institucioni bën me dije se çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e efektivëve dhe qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin.
Deklarata e plotë:
Gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private.
U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj. Dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj.
Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve.
