Gjashtë ish-punonjës të administratës së Kombinatit Mekanik në Poliçan (Uzinës së Armëve), mes tyre edhe drejtori i këtij Kombinati Erjon Zylyftari, aktualisht kreu i PS Poliçan, janë nën hetim nga Prokuroria e Rrethit të Beratit.
Çështja penale në ngarkim të tyre, me numër 468,është regjistruar pranë këtij institucioni në vitin 2022 dhe këta shtetas akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal, raporton BW.
Mësohet se ka qenë Sektori i Krimit Ekonomik ai që ka nisur një hetim të thelluar në lidhje me zhdukjen e rreth 50 ton lënde të parë “tunxh” nga Kombinati Mekanik i Poliçanit. Drejtori i Kombinatit Mekanik Poliçan, Shefja e Financës, Sekretarja, Dispeçeri dhe dy magazinierët akuzohen se e kanë shitur lëndën e parë, duke përfituar shuma të mëdha lekësh.
Shitja e shpejtë e rreth 50 ton tunxh,dyshohet se është kryer nëpërmjet uljes së çmimit real të vlerës së tij.
E gjithë kjo vjedhje është vënë re pas mbylljes së Kombinatit në 31.12.2020.
