Rrahim Beqiri, banor i Prishtinës, merr 110 euro në muaj ndihmë nga shteti, me të cilat mban familjen, gruan dhe djalin 11 vjeç. Ai thotë se në pamundësi për të gjetur një punë të rregullt, me këto të ardhura e ka të vështirë të sigurojë ngrohje për këtë dimër. Viteve të kaluara e kishin ndihmuar miqtë me drunj, por këtë vit me rritjen e çmimeve, gjërat kanë ndryshuar.
“Shoqëria m’i kanë dhënë nga dy tri metra viteve të kaluara, por për sivjet asgjë dhe nuk ka shpresë aspak. Me rrymë nëse mundem ta përballoj, nëse jo më duhet vetëm të rri e të shikoj”, thotë ai.
Në Kosovë, ku energjia elektrike është burim kryesor për ngrohje, autoritetet kanë paralajmëruar se dimri i këtij viti do të jetë mjaft sfidues për shkak të krizës energjetike botërore, pamundësisë që vendi të përmbushë nevojat e tij me prodhimin e brendshëm dhe çmimeve të larta të importeve.
Sipas përllogaritjeve mesatare pritet që shpenzimi i energjisë elektrike gjatë dimrit të jetë 4.12 milion megavat orë, derisa prodhimi do të jetë 3.2 milion megavat orë, që i bie se vendit do t’i duhen edhe 722.8 mijë megavat orë energji elektrike nga importi.
Në përpjekje për të përballuar këtë krizë, ministria e Ekonomisë në Kosovë ka paraqitur një plan për mbështetjen financiare të qytetarëve për blerjen e pajisjeve për ngrohje që shpenzojnë më pak.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deklaroi se paketa ka vlerën e 6 milionë eurove.
“Pajisjet që do të subvencionohen nëpërmjet kësaj thirrje përfshijnë kaldajat me biomasë dru, pelet, briket që do të subvencionohen deri në 70 për qind të vlerës së investimit, ose deri në një mijë e 200 euro. Pompat termike të cilat ulin shpenzimin e energjisë elektrike deri në 70 për qind do të subvencionohen deri në 30 për qind ose deri në dy mijë e 500 euro. Kondicionerët eficient të cilët ulin shpenzimin e energjisë deri në 70 për qind do të subvencionohen deri në 40 për qind të vlerës ose deri në 400 euro. Stufat indivduale eficiente me biomasë – dru, të cilat për familjet që janë pjesë e skemës sociale do të subvencionohen deri në 90 për qind”, tha zonja Rizvanolli.
