Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një studenteje gjatë takimit të zhvilluar në Gjirokastër, e cila vuri në pah vështirësitë dhe pengesat me të cilat përballen studentët pas përfundimit të studimeve.
Vajza tha se të rinjtë detyrohen të largohen nga vendi pasi nuk gjejnë punë.
Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë tha se zgjidhja nuk është që çdo i ri të punësohet në shtet, pasi sipas tij kjo gjë është e pamundur.
Studentja: Jam studente në Fakultetin e Ekonomisë. Ne studentët studiojmë, na thatë dhe për trajnimin. Por për çfarë? Për të punuar në ëmbëltore, në byrektore? Studentët dhe të rinjtë janë duke ikur nga Shqipëria se nuk kanë ku të punësohen. Shkojmë dhe na kërkojnë eksperiencë ndërkohë që ne sa kemi dalë nga bankat e shkollës.
Kryeministrit: Këtu nuk është çështja që të mbarosh shkollën dhe të punosh në ëmbëltore. Edhe pse ka plot njerëz që mbarojnë shkollat, marrin diploma edhe në botën e zhvilluar dhe punojnë edhe në ëmbëltore. E di që kur mbaron universitetin nuk janë të hapura të gjitha dyert, por nuk janë të hapura askund. Sot këtu në Gjirokastër keni shembuj të rinjsh që kanë shkuar në fshat, kanë hapur një sipërmarrje të vogël e cila rritet vit pas viti. Nuk është shteti zgjidhja. Nuk mundet që të jetë shteti vendi ku punësohen të gjithë. Në shtet punësohet një pjesë e caktuar. Në sektorin privat ka hapësira që kërkojnë sakrifica, durim, por ia dilet.