Kreu i PD-së, Sali Berisha edhe këtë të premte ka folur për vdekjen misterioze të 32-vjeçarit Lear Kurti në duart e Policisë së Shtetit. Po sot, për herë të parë kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës. Për pretendimet e opozitës se i riu është vrarë nga dhuna e policisë, Rama thekson se nuk ka asnjë shenjë që vdekja e 32-vjeçarit të ketë ardhur nga policia.
”U vërsulën kriminelë të tjerë me uniformë, me në krye Ardi Veliun, për të falsifikuar dhe deformuar çdo të dhënë. Njoftuan se të riun e dërguan në spital në gjendje të rëndë dhe ndërroi jetë në spital. Ndërkohë që e dërguan kufomë, e dërguan të vdekur në spital.
Dhe u përgënjeshtruan nga spital menjëherë. Në kundërshtim absolut me praktikën e hetimit, ndërmorën autopsinë sikur të ishin klandestinë, në ora 4 të mëngjesit. E palejueshme për një akt autopsie, sidomos kur thua për vdekje natyrale. Që një autopsi të japë rezultatin e pritshëm, duhet lënë të paktën 12 orë. Kur vdes një 32-vjeçar, që është subjekt i një hetimi, autopsia bëhet nga grup ekspertësh dhe jo nga një ekspert i vetëm nën terrorin e Ardi Veliut.
Njërin e vranë, tjetrin thanë se qesja. Qesja është jashtë imagjinate. Duhet të kesh afër të paktën një filxhan vaj ulliri, se ajo nuk shkon. Sesi kalon qesja nëpër ezofag, atë e di vetëm Ardi Veliu. Pra kemi të bëjmë me një skenar që e vranë për së dyti. Një njeri normal për të cilin shokët kishin vetëm fjalët më të mira. I rritur me sakrifica”.
