Policia e Burgjeve nuk po arrin të plotësojë rreth 400 vende vakante pune. Shkak duket se është klauzola ligjore që nuk lejon rekrutimin e punonjës mbi 35 vjeç. Për të zgjidhur problemin, qeveria propozon një projektligj që e heq fare këtë kriter që lidhet me moshën e punonjësve të rinj.
“Rezulton se në 3 proceset e fundit të rekrutimit të punonjësit të rolit bazë në Policinë e Burgjeve, numri i pjesëmarrësve ka qenë disa herë më i ulët se numri i vendeve të lira, duke sjellë si pasojë zhvlerësimin e procesit të konkurrimit. Është konstatuar se shumë konkurrentë janë skualifikuar nga e drejta për konkurrim për shkak të kriterit të moshës nën 35 vjeç”.
Vakancat në këtë sektor ngrenë shqetësimin e ruajtjes së sigurisë në 22 burgjet që janë në vend. Ligji është relativisht i ri, pasi ka rreth dy vite që është miratuar nga parlamenti dhe tani pritet t’i nënshtrohet ndryshimeve të radhës.
