Drejtuesi i Acromax Aldor Nini, ka treguar se si shqiptarët blejnë klikime. Ai shprehu se ky veprim nuk është thjesht jo etik, por mbi të gjitha jo profesional dhe shkakton një çrregullim të tregut muzikor.
Përsa i përket artistëve të Kënga Magjike, Nini sqaroi:
“Ka artistë që kanë blerë klikime, jo vetëm për këtë edicion por edhe për shumë vite të tjera përpara këtij edicioni të Këngës Magjike. Unë kam telefonuar secilin artist që ka blerë klikime për festivalin. Janë shtatë artistë [këtë vit]. Jo për t’u thënë që e di, por për t’u shpjeguar si mund të bëjnë marketing real pa blerë klikime. Nëse ne do tregonim emra do dënonim edhe ata që kanë qenë të detyruar të blejnë klikime sepse të njëjtën që po bën edhe konkurrenti i tyre.”
Nini, drejtues i kompanisë më të madhe të publikimit të videove në YouTube nga krijuesit shqiptarë, tha se klikimet vijnë nga vende si India, Indonezia etj. Sipas tij, dhe shumë prej artistëve paguajnë kompani publikimi për strategji marketingu dhe në padijeni, përfundojnë me klikime të blera.
“Në sektorin e cyber-crime, ky është sektori që hyn si mashtrim, patjetër në bazë të kodit penal shqiptar këta njerëz mund të dënohen. Si për shitjen e klikimeve, ata që ndihmojnë bëjnë transaksionin financiar, por dhe kundrejt çdo lloj personi që është i përfshirë, si edhe menaxheri, apo kompanitë publikuese që mburren. Janë shumë njerëz të përfshirë që mund të dënohen.”
