Kryetari i PD-së, Sali Berisha i kërkoi kreut të qeverisë, Edi Rama të japë dorëheqjen e të mos presë protestat e shqiptarëve, ku për të vendi po zien nga revolta e qytetarëve.
“Shqipëria po zien nga zemërimi dhe revolta e qytetarëve të saj, e bizneseve të vogla, të cilët presin në ankth të madh të nesërmen, për shkak të lukunisë së taksidarëve po zien në cdo familje shqiptare, për shkak të çmimeve të produkteve bazë të jetesës. Zien te çdo i ri që sheh te Rama një shpresë vrasës, te cdo pensionist, që qan me lot mjerimi se nuk siguron dot kafshatën, nuk blen dot ilacet.
Po zien te qindra mijëra punonjës, rrogëtarë që me pagën që marrin nuk përballojnë dot as gjysmën e muajit. Mijëra ushtarakë 2500 policë kanë dorëzuar dorëheqjen dhe Çuçi i familjes fsheh realitetin. Gjysma e ushtarakëve profesionistë kanë dorëzuar dorëheqjen dhe mbahen me detyrim për shkak të kontratës.
Siguria është në shkallën më të ulët. Uria, dhuna, skamja, po detyrojnë shqiptarët të braktisin masivisht vendin e tyre. Shqiptarët kanë bindjen se vetëm protesta për largimin e këtij njeriu, është zgjidhja më emergjente”.
