Edhe pse qytetarët e duan si kandidat për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, Agron Duka thotë se ai dhe Partia Agrare Ambientaliste, do të mbështesë në primare kandidaturën e Igli Carës. Përmes një postimi në facebook, Duka shprehet se “duke qenë kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, unë jam i detyruar t’i përkushtohem fushatës së PAA-së në të gjithë Shqipërinë. Ndaj dhe e kam të pamundur të jem personalisht pjesë e kësaj gare. Unë i premtoj çdo demokrati dhe çdo qytetari durrsak, se kontributi im do të jetë, si përherë, për qytetin dhe qytetarët e kësaj bashkie”.
Postimi i plotë
Nuk do të garoj në Durrës, do të mbështes kandidaturën e Igli Carës! Të dashur qytetarë të Durrësit! Përmes këtij postimi dua të ndaj me ju një vendim. Më njoftuan nga dega lokale e PD-së në këtë qytet se në disa njësi, anëtarësia e kësaj partie më ka propozuar si kandidat për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake, për kandidatin për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore, si përfaqësues i opozitës.
Ndjej të falënderoj çdo qytetar durrsak, që është pjesë e Partisë Demokratike, dhe që ka propozuar që unë të jem në këtë garë. E vlerësoj maksimalisht dhe, me zemër do të doja ti përfaqësoja ata dhe shumë të tjerë në këtë garë, me dëshirën e madhe për të bërë më të mirën për qytetin dhe fshatrat e Durrësit.
Duke qenë kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, unë jam i detyruar t’i përkushtohem fushatës së PAA-së në të gjithë Shqipërinë. Ndaj dhe e kam të pamundur të jem personalisht pjesë e kësaj gare.
Unë i premtoj çdo demokrati dhe çdo qytetari durrsak, se kontributi im do të jetë, si përherë, për qytetin dhe qytetarët e kësaj bashkie. Unë përsonalisht dhe PAA me strukturat e saj, do të mbështesim zyrtarisht kandidatin demokrat Igli Cara, me bindjen e plotë se ai është njeriu që i duhet bashkisë së Durrësit dhe qytetarëve të Durrësit.
Edhe njeherë, falendroj ata që më kanë propozuar dhe i siguroj se do të jemi bashkë në të njëjtin front, për të bërë më të mirën për qytetin tonë. Me respekt, Agron Duka