Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, thotë edhe një herë tjetër se projekti i Portit të Durrësit, është një aferë tipike mafioze. Ai ka dalë në një konferencë për mediat sot nga selia e partisë së tij dhe ka thënë se ky projekt nuk ka asnjë transparencë.
“Qeveria është shprehur se do të mbulojë edhe kostot e shpenzimeve, ndërkohë që 812 mijë metra katrorë tokë është tokë shtet. Nuk ka asnjë vlerësim se sa do të kushtojë Porti tregtar i Durrësit.
Është e qartë se kjo është një aferë tipike mafioze, kundër interesave kombëtare dhe strategjike. Edhe në drejtim të pozitës tregtare, edhe në drejtim të pozicionit të Shqipërisë. Mund të rezultojë me pasoja katastrofike për vendin, për shkak të detyrimeve që mund të lindin, por edhe për financat publike. Ne do të vazhdojmë të hetojmë në lidhje me këtë aferë”.
