Në panairin e ri të librit, të hapur sot në Pallatin e Kongreseve, zënë një vend të veçantë librat e rinj për fëmijë, të autorëve shqiptarë. Një ndër to është libri “Jona dhe deti” (poemë vere), shkruar nga Zimo Krutaj, botim i Shtëpisë Botuese “mediaprint”.
Ky libër është fitues i Fondit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, për krijimtarinë letrare për fëmijë, viti 2022. Lexuesit e vegjël, por edhe ata më të rritur, marrin në duar një poemë të gjatë për fëmijë, që ka si pikënisje kontaktin e parë të një vajze të vogël me detin. Thënë ndryshe, është përshkrimi, historia, befasitë e ndodhitë e ditës së parë të vogëlushes buzë detit, në një lojë reale e imagjinare ku ndërthuret e shkrihet realiteti dhe trillimi, koha dhe hapësira.
Poema “Jona dhe deti” synon të evokojë e të lartësojë shpirtin e ndjeshëm, të pasur me vlera të qenësishme, të domosdoshme për jetën e formimin e njeriut, si dhe lidhjen e ngushtë e marrëdhëniet e fëmijës me natyrën, si pjesë e pandarë e botës, si “shtëpia” e madhe ku jeton e rritet.
Ilustrimet e piktores Fatlinda Shala e pasurojnë librin me imazhe që marrin dritë, ngjyra e kuptim në vështrimin e lexuesit, sendërtojnë pamje të natyrës e personazhe të poemës, duke përcjellë, përforcuar e bërë më të prekshme, kumtet e tekstit poetik.
Me librin “Jona dhe deti”, biblioteka e fëmijëve plotësohet me një vepër të re të poezisë për fëmijë, të llojit të poemës rrëfimtare të ilustruar, me personazhe e ngjarje të ndërthurur me elementë fantastikë, me tipare të theksuara lirike. Vargu tetërrokësh i thyer, rimat e puthura, asonancat dhe aliteracionet e shpeshta, si dhe figurat tingëlluese, e pasurojnë poemën me ritme muzikore që lehtësojnë “këndimin” e strofave nga prindërit, për fëmijët që ende nuk kanë mësuar të lexojnë…
Postime te ngjashme
Add A Comment