Koncerti madhështor në Tiranë për 110 vjetorin e Pavarësisë dhe qëndrimi i Dua Lipës ndaj gjykimeve të shqiptarëve në Britani nga politika atje, është bërë lajm në mbarë mediat britanike.
“Daily Mail”, shkruan se Dua ka marrë nënshtetësinë shqiptare nga Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, teksa ky i fundit ka thënë se ylli i popit ka një rol kryesor në përhapjen e famës së shqiptarëve ndërkombëtarisht përmes muzikës së saj. “Do të jem edhe unë shqiptare me letra”, është shprehur artistja.
Po ashtu media britanike, teksa ka përshkruar dhe rrugëtmin e Duas dhe hapat drejt suksesit, shkruan se artistja me prindër refugjatë nga Kosova po iu jep famë shqiptarëve kudo në botë.
“Këngëtarja 27-vjeçare ka lindur në Londër në vitin 1995 nga prindër kosovarë-shqiptarë që ikën nga konflikti dhe paqëndrueshmëria politike në Ballkan. Ajo shpeshherë e ka përmendur me shumë krenari origjinën e saj shqiptare në rrjete sociale dhe në intervista të ndryshme. Ajo gjithashtu shijon udhëtimet familjare në Shqipëri dhe Kosovë dhe merr pjesë në tradita të tilla si balancimi i një gote në kokë ndërsa kërcen”, shkruan “Daily Mail”.
