Kevin Sekniqi është i riu nga Shkodra, emri i të cilit shënjohet në listën e “Forbes” si një nga 30 personat e moshës nën 30 vjeç që ka arritur një sukses të madh në botën financiare dhe atë të zhvillimit ekonomik.
“Është bashkëthemeluesi më i ri i Ava Labs, i cili ka luajtur një rol kyç në krijimin e Avalanche, një blockchain me shpejtësi të lartë që numëron mbi tre milionë përdorues, dhe [në krijimin e] AVAX, një kriptovalutë me një vlerë tregu prej 4 miliardë dollarë”, nënvizohet në përshkrimin e revistës amerikane.
Për suksesin e Sekniqit dhe vlerësimin që i është bërë nga “Forbes”, ka bërë një koment edhe ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli – Faber, e cila mes të tjerash e etiketon “një ‘hit’ në botën financiare” dhe një njeri mjaft modest.
Postimi i Floreta Luli – Faber:
A e njihni #KevinSekniqi, të cilin më pëlqen ta quaj djalin nga Shkodra! Tashmë është një “hit” në botën financiare ndërsa FORBS e ka listuar në listën e famshme “30 under 30”, një nga 30 personat e moshës nën 30 vjeç që ka arritur një sukses marramendës në botën financiare dhe atë të zhvillimit ekonomik. Forbes nënvizon se ka shqyrtuar mbi 12 mijë kandidatë të mundshëm, duke i vlerësuar për faktorë si investimi, të ardhurat, ndikimi social, inovacioni dhe potenciali që kompanitë e tyrë ofrojnë. Siç e përshruan Forbes, Sekniqi është “bashkëthemeluesi më i ri i Ava Labs, i cili ka luajtur një rol kyç në krijimin e Avalanche, një blockchain me shpejtësi të lartë që numëron mbi tre milionë përdorues, dhe [në krijimin e] AVAX, një kriptovalutë me një vlerë tregu prej 4 miliardë dollarë.”
E takova vitin e kaluar në Majemi, në ato pak orë që ja lejonte vetes për të pushuar larg kompjuterit dhe kompanisë së tij. Shumë i dashur, i thjeshtë, dhe me mjaft modesti fliste për kompaninë e tij, të filluar që në bankat e shkollës, zhvilluar në Nju Jork por vendosur në Miami, Florida. Ate prill 2021 ai ishtë në fazën e kërkimore, dhe priste që brenda vitit të përmbyllte ëndrrën e tij për një zhvillim unik në fushën e kriptomonedhës. Tani ai ia ka dalë me sukses.
Jemi shumë krenar për ty!
Urimet më të mira për ty Kevin!
Urimet më të mira DS Merita dhe Shyqyri Sekniqi!