Kur rregullat e qarkullimit shkelen edhe prej zyrtarëve që na imponojnë respektimin e tyre, imagjinoni ç’mund të themi për qytetarët e thjeshtë.
Jo më larg se sa sot, në rrugën e Kombit, vetë Basha ka regjistruar me telefonin e tij se si shkel rregullat e qarkullimit rrugor.
Në momentin e parë, Basha pasi thotë disa fjalë në video, nxjerr celularin dhe filmon militantët demokratë duke udhëtuar me makinë, por padashje ai zbulon se makina e tij dhe e simpatizantëve kanë shkelur mbi vijat e bardha të pandërprera. Në nenin 40 të Kodit Rrugor përcaktohet qartë se “vijat e vazhdueshme, me përjashtim të atyre që kufizojnë korsinë e emergjencës, tregojnë kufirin e pakapërcyeshëm të një korsie lëvizjeje ose të karrexhatës”. Ndërsa në pikën 8 të këtij neni thuhet se “vijat gjatësore të vazhduara nuk duhet të kapërcehen. Është e ndaluar të kapërcehen vijat gjatësore të vazhduara, përveçse nga ana e vijës gjatësore të ndërprerë, kur kjo e fundit ndodhet ngjitur me të vazhduarën”.
Por shkelja e ligjit nuk është vetëm kaq. Kreu I opozitës ka toleruar shoferin e tij që të lëvizë tërësisht në korsinë e kundërt duke vendosur në rrezik jetën e qytetarëve të tjerë siç mund të shihni edhe nga këto foto. Ndërkohë vetë Basha ka qenë duke filmuar automjetet në korsinë e duhur ku udhëtonin militantët. Por ndërsa policia nuk vonon që të dënojë madje deri në heqje patente për qytetarët e thjeshtë, a do ketë guxim që të dënojë edhe shoferin e Bashës për thyerje të rregullave të qarkullimit rrugor duke vendosur seriozisht në rrezik jetën e qytetarëve?! /tirananews.al


