Kreu i PD-së, Sali Berisha akuzoi nga selia blu, se kryeministri Edi Rama ka gisht në largimin e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Për të largimi i Yuri Kim nga Tirana në misionin diplomatik në Korenë e Jugut, është si “flakje” e një limoni të shtrydhur.
“Në 100 vite marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve s’ka pasur ndonjëherë diplomate amerikane se t’i ketë dëmtuar më shumë marrëdhëniet me Amerikën sesa ajo. Sjellja e saj nuk ka asnjë të përbashkët me vendet perëndimore.
Kërcënimet, ofendimet e saj ndaj demokratëve se do hanë bar, kundërshtimi me çdo konventë ndërkombëtare, janë akte të shëmtuara të saj, për të cilat garantoj vendin mik se mos të kishin qenë dy faktorë, ndjenja dhe admirimi im për SHBA, zonja në fjalë nuk do ishte toleruar kurrë. Me protesta paqësore do ishte kërkuar largimi i saj sa më shpejt nga Shqipëria.
E lejoi veten si të ishte President, madje më lart, se Presidenti këtu s’mban asnjë fjalë. Ajo gjeti klikën e delikuenteve, të kapur nga droga si Rama dhe hoqi fijet e tyre, derisa më në fund tha se do emëronte dhe shefin e SKAPI-t të partisë. S’besoj kurrë, se një diplomat mund të sillet në atë mënyrë. Bëri gjithçka për të dëmtuar imazhin e shkëlqyer të SHBA në këtë vend. Por, largimi i saj, mund t’i ketë mbaruar dhe mandati por fakti që Rama e lajmëron këtë është e paparë në 100 vite marrëdhënie me Amerikën”.
