Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është takuar në SHBA me ambasadorin Willian Walker, ish-shef i Misionit të Verifikimit në Kosovë.
Në një postim në “Facebook”, ish-kryedemokrati shkruan se Walker është njeriu që i tregoi mbarë botës për krimet e Serbisë mbi civilët shqiptarë të pafajshëm.
“Kënaqësi e veçantë për mua të takoja Ambasadorin William Walker, ish-shef i Misionit të Verifikimit në Kosovë që i tregoi mbarë botës të vërtetën për krimet e Serbisë mbi civilët e pafajshëm shqiptarë. Ambasadori William Walker, duke e cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, solli ndërgjegjësimin e faktorit ndërkombëtar për krimet dhe genocidin që po kryente Serbia në Kosovë. Ne shqiptarët jemi mirënjohës dhe me fat që kemi miq të tillë si Ambasadori Walker. Gjatë takimit më tregoi se i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë e Shqipëri dhe se beson në mundësitë që dy vendet kanë për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Faleminderit Ambasador Walker!”, shkruan Basha.
