Deputeti demokrat Luçiano Boçi, në seancën e sotme parlamentare, është ndalur te sulmi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në protestën e 6 dhjetorit.
Ai bëri thirrje që të përgatitet një qëndrim unanim nga ana e kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe më pas të votohet nga deputetët në Kuvend.
“Është goditur kryetari i opozitës. Ky parlament sot bën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Dhuna është instaluar në këtë parlament që në vitin 2013 kur është goditur Strazimiri dhe pastaj është mbushur ky parlament me kriminelë. Në këtë parlament nuk mund të vijohet me fjalë të bukura. Ky parlament duhet të jetë në këmbë për të mbrojtur dinjitetin e opozitës. Atë ditë nuk u godit Sali Berisha por opozita dhe qytetarët. Organizuesi i këtij skenari është ai që mungon vazhdimisht në këtë sallë, kryeministri Edi Rama. Ai duhet të vijë këtu dhe të deklarojë dorëheqjen e tij. Shqiptarëve u ka ardhur aty ku nuk mban më. Ka realizuar atë skenar që e ka mirë menduar dhe e ka artikuluar në këtë sallë duke kërcënuar Sali Berishën, Edi Palokën, Gazment Bardhin dhe anëtarë të tjerë të opozitës për t’i mbyllur gojën. Përgatisni qëndrimin dhe ne ta votojmë këtu. Përndryshe nuk ka normalitet”, tha ai.
Në përgjigje, Lindita Nikolla ritheksoi se sulmin ndaj Berishës është dnëuar dhe se i kanë bërë thirrje drejtësisë të ndëshkojë personin që e qëlloi atë.
“E kemi dënuar dhunën dhe i kemi bërë thirrje drejtësisë për të ndëshkuar personin që shkaktoi dhunën”, nënvizoi Nikolla.