Qeveria e Serbisë do të mblidhet sonte dhe do të zyrtarizojë kërkesën për të kërkuar kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë nga KFOR-i në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kabineti duhet të mblidhet në Pallatin “Serbia”, ku i pranishëm do të jetë presidenti Aleksandër Vuçiç. Komandës së misionit ushtarak ndërkombëtar do t’i dërgohet një dokument, për të cilin pala serbe thotë se ka të drejtë absolute, duke pasur parasysh se as KFOR-i dhe as EULEX-i nuk kanë bërë shumë për mbrojtjen e popullit serb.
Dispozita e Rezolutës 1244, e cila ka të bëjë me kthimin e forcave serbe të sigurisë, është formuluar në atë mënyrë që nënkupton obligimin e KFOR-it për të mundësuar hyrjen e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.
