Një ditë pasi firmosi me kryeparlamentarin dhe kryeministrin dokumentin e aplikimit të Kosovës në Bashkimin Europian, presidentja Vjosa Osmani tha në fjalën e saj në seancën plenare këtë të enjte në Kuvend, se pavarësia e vendit është e pa mohueshme pasi është e mbrojtur me gjak. Osmani bëri me dije se politika e jashtme e ndjekur nga Kosova është mëse e duhura për të plotësuar misionin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Paçka sfidave sovraniteti i vendit tonë do mbetet i shenjtë, dhe integriteti i pacenueshëm. Pavarësia jonë është e ndërtuar me gjak e themelet janë të padepërtueshme. E në ato themele janë heronjtë tanë. Dje nënshkruam aplikimin për BE, sot i dorëzohet presidencës Çeke që gjej rastin ta falenderoj për mbështetjen.
Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë, ne ja dolëm sepse kauza jonë ishte dhe është e drejtë. Aleancën me SHBA duhet ta konsiderojmë të shenjtë a duhet ta ruajmë përjetësisht.
Kosova s’ka politikë të jashtme thonë ca zëra, Kosova ka më shumë se kurrë politikë të jashtme. Ua them unë çfarë s’ka Kosova: Lobim nga vendet e tjera, flirte me Beogradit me Moskën, krahasimin e vendit tonë me Krimenë. Po ndërtojmë një Kosovë lidere, të denjë për misionet paqeruajtëse. Një Kosovë që u shndërrua në faktor të rëndësishëm ndërkombëtar”,-tha Vjosa Osmani.
