Mediat më të mëdha që nga Washington Post e deri tek agjencia Reuters po raportojnë për ngjarjen e rëndë në Rinas.
Reuters shkruan se “policia vrau një nga disa persona të armatosur në një shkëmbim zjarri pasi ata u futën në aeroportin ndërkombëar të Shqipërisë dhe u larguan prej atje me një ngarkesë parash”.
“Hajdutët e maskuar dhe të armatosur u futën përmes hyrjes që përdoret nga shërbimet e zjarrfikëses dhe pasi morën paratë, u arratisën duke provokuar një ndjekje policore”.
Dëshmitarët thanë për Reuters se personat e armatosur kishin shënjestruar avionin për në Vjenë, që në atë kohë kishte ndezur motorrët në pistë. Tre personat me uniforma ushtarake kërcënuan stafin me armë dhe morën paratë.
“Raportimet e para flasin për një shumë prej 2 milionë eurosh të vjedhura, por më vonë u tha se shuma mund të jetë pesë herë më e madhe”.
“Bankat e huaja me filiale në Shqipëri i nxjerrin kartmonedhat jashtë përmes aeroportit të Rinasit për në Vjenë, për shkak se banka qëndrore nuk i pranon depozitat e tyre në kartmonedha”.
“Dërgesat janë sulmuar disa herë vitet e shkuara, njëherë brenda në aeroport dhe dy herë në rrugën që të çon në aeroport. Policia ka gjetur disa nga paratë e grabitjes së fundit, të cilat ishin futur në tenxhere presioni nën tokë”.