Në veri të Kosovës, barrikadat janë si “kërpudha” dhe po pengojnë prej 2 javësh tashmë lëvizjen e lirë të qytetarëve drejt pikave kufitare.
Një barrikadë e re është vendosur në orët e para të mëngjesit në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut, ndonëse partnerët ndërkombëtarë iu kanë bërë thirrje të dyja palëve që të ulin tensionet dhe të largojnë pengesat. Rruga ku është vendosur barrikada është një prej akseve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Po ashtu, ka informacione që është ngritur edhe një barrikadë tjetër në vendin e njohur si “Dudin Kërsh” në Zveçan, që pamundëson lëvizjen nga Mitrovica e Jugut në drejtim të Rudarës, Komuna e Zveçanit.
