E izoluar për më shumë se dy muaj në një qeli të veçuar, Svetlana Timofeeva, blogerja 33-vjeçare ruse e arrestuar për spiunazh në Shqipëri, nisi të ëndërronte për një regjim të zakonshëm burgu. “Në oborrin e shëtitjes është e modës të luash basketboll dhe në përgjithësi, regjimi i burgut i ngjan një konvikti studentësh, vetëm se pa internet dhe pa të drejtën për të dalë jashtë”,-shkruan Timofeeva në një letër dërguar miqve më 17 tetor.
Por ajo nuk kishte qenë ende në atë burg dhe e përshkruan atë sipas rrëfenjave të njërës prej oficereve të shërbimit. Ndryshe nga të burgosurat e tjera, Timofeeva u mbajt e izoluar në një seksion të zbrazët në Spitalin e Burgut në Tiranë nga 24 gushti deri më 16 nëntor, në një qeli ku komunikimet, gazetat dhe fjalëkryqet ishin të ndaluara dhe ku i vetmi kontakt me botën ishin britmat e një pacienteje të sëmurë në repartin ngjitur.
“Oficeret e shërbimit janë po aq të trashura sa edhe unë, ato punojnë në turne 8-orëshe me një pushim, dhe habiten se pse unë jam këtu dhe pse duhet të ruhem si një terroriste veçanërisht e rrezikshme,” shkruan më tej ajo. Përmes tre letrave nga qelia, Svetlana Timofeeva përshkruan situatën e saj të pazakontë si një shtetase ruse e burgosur në Shqipëri, në një kohë gjithashtu të pazakontë lufte, ku posta me Rusinë është nën embargo.
Ajo ia ka dorëzuar letrat avokatit të saj, ndërsa BIRN i siguroi ato përmes Anastasia Krylova, një prej të njohurave të Timofeevas, e angazhuar në një fushatë për të ndihmuar lirimin e saj. Trajtimi i Timofeevas gjatë periudhës së paraburgimit në Shqipëri, përfshirë mbylljen në spitalin e burgut për më shumë se dy muaj, është bërë objekt i një hetimi të ndërmarrë nga Avokati i Popullit.
“Ne do hetojmë vendimmarrjen për të qëndruar atje, ndërkohë që nuk ishte e sëmurë,” tha Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca për BIRN. Avokati i Timofeeva, Fatmir Lushi i tha BIRN se klientja e tij vazhdon të mbahet e veçuar edhe pas transferimit nga spitali i burgut në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, IEVP “Ali Demi”, i njohur ndryshe si burgu i grave.
“Për arsye sigurie pretendojnë, mbahet e veçuar,” tha Lushi në një telefonatë. Prokurori i çështjes, Kreshnik Ajazi, tha se prokuroria nuk kishte kërkuar trajtim të veçantë të Timofeevas dhe se nuk kishte kompetencë mbi vendin e ekzekutimit të vendimit penal. Ndërkohë, IEVP “Ali Demi” tha në një përgjigje me shkrim se e paraburgosura po mbahej e veçuar pas një vlerësimi risku nga komisioni multi-disiplinor në institucion, që e gjetur atë me “risk të lartë”.
Në letra, Timofeeva është ironike me akuzat për spiunazh në Shqipëri dhe më pas edhe në Rusi, ku ajo akuzohet thuajse për të njëjtën vepër penale. “Mendoj se shqiptarët kanë ëndërruar të kapin spiunë të vërtetë rusë që prej Luftës së Ftohtë, ndoshta në vitet 60’, por ia dolën të kapin vetëm spiunë falsë dhe një ukrainas në vitin 2022,” shkruan 33-vjeçarja në letrën për miqtë. Duke folur për akuzat, ajo thotë se fabrika sekrete në Gramsh kishte 30 vjet që nuk punonte dhe se aty kishte vetëm rrënoja. “Edhe ne rusët kemi gjysmën e vendit me rrënoja të tilla sekrete,” shkruan ajo.
Timofeeva thotë se e kupton që koha nuk kishte qenë e përshtatshme, por këmbëngul që nuk ka spiunuar për askënd. Duke iu referuar një akuze të ngjashme ndaj saj në Rusi, ajo shkruan se nuk di shumë për çështjen, por pasi ishte larguar nga Rusia kishte mësuar që apartamenti ku ajo qëndronte ishte kontrolluar dhe ishin sekuestruar kamera dhe mjete të tjera që i kishin kushtuar shumë.
Akuzat e ngritura në Rusi janë të ngjashme me ato në Shqipëri. Timofeeva akuzohet se bashkë me persona të tjerë kanë hyrë në baza ushtarake dhe kanë mbledhur informacione sekrete. Sipas medias ruse rbc.ru, pjesë e një grupi mediatik me qendër në Moskë, bashkë me Timofeeva, për të cilën u vendos arresti në mungesë u arrestua edhe Dmitry Blinov, punonjës i një kompanie franceze të procesimit të ushqimeve.
Akuzat në Rusi u bënë vetëm pak ditë pasi Timofeeva ishte arrestuar në Shqipëri, duke nxitur spekulime shtesë mbi të. Në fillim të dhjetorit, Rusia paraqiti edhe zyrtarisht kërkesë për ekstradimin e saj. Prokurori Kreshnik Ajazi tha se çështja ishte ende në shqyrtim dhe se nuk i ishte dërguar gjykatës.
“Normalisht do të shprehet gjykata për këtë,” tha Ajazi, duke vënë në dukje se prokuroria mund të kërkonte që ekstradimi të mos kryhej, për sa kohë kishte hetime penale në Shqipëri. Ai tha po ashtu se Timofeeva do duhej të shprehej për këtë. Avokati Lushi tha se as ai as klientja e tij nuk ishin në dijeni të kërkesës për ekstradim nga Rusia. Ndërkohë në letër Timofeeva shpjegon për herë të parë versionin e saj të ngjarjeve. Ajo thotë se ata kishin ardhur në Shqipëri në kohë të ndryshme nga drejtime të ndryshme dhe pasi ishin takuar, kishin bërë tre ditë vizita interesante në vende të ngjashme me rrënoja dhe ditën e tretë i ishin drejtuar uzinës.
“Udhëtuam në mes të ditës në fabrikën e braktisur mekanike,” shkruan Timofeeva dhe më pas përshkruan se ata ishin tërësisht të qetë dhe të sigurt që nuk po kryenin diçka të ndaluar. Ajo thotë se makinën e ndaluan afër fabrikës dhe se në vetvete, makina ishte një provë e rëndësishme që ata nuk ishin duke u fshehur dhe as spiunë. “Makina e Fedias (Fedir Alpatov) duket si BAT-MOBILE… Sidoqoftë, është një makinë sportive portokalli me targa të Ukrainës. Aaaaah!,” shkruan ajo në letër. Timofeeva shkruan gjithashtu se letrat i japin ndjesinë se është më pak e vetmuar dhe iluzionin e një lidhjeje me botën, por ankohet se nuk ka marrë ende asnjë përgjigje. “Sepse posta, mesa duket është ndërprerë. Mund të dërgosh një letër në Kubë apo Australi, por jo në Rusi. E gjitha kjo falë Putinit,” përfundon ajo. /Birn/