Veriu i Kosovës po lirohet nga barrikadat. Serbët kanë larguar barrikadat e vendosura nga ata vetë edhe në Zupç, barrikadë kjo që ka qenë e vendosur në rrugën që çon për në pikën kufitare në Bërnajk. Barrikada më e madhe e vendosur në Rudarë, nga grupe të caktuara kriminale, dje është larguar nga vetë ata që i kanë vendosur.
Shumica e barrikadave ishin vendosur njëzet ditë më parë për shkak të arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç, që dyshohet për terrorizëm, i cili me urdhër të Gjykatës është liruar në arrest shtëpiak.
Serbët për herë të parë kanë ngritur barrikada në shenjë proteste në vitin 2011 për të kundërshtuar shtrirjen e pushtetit të autoriteteve kosovare në atë pjesë të vendit. Që nga atëherë, barrikadat janë simbol i tensioneve dhe destabilitetit në veri të Kosovës.
