Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të takohen në Berlin më 29 prill. Lajmin e ka konfirmuar presidenti serb në një konferencë për mediat në Beograd.
Ai është shprehur se do të udhëtojë në Berlin për tu takuar me homologun Thaçi dhe për herë të parë me kryeministrit Ramush Haradinaj.
Presidenti serb ka treguar se ky takim është caktuar që të mbahet me 29 prill, dhe në të do të jetë e ftuar edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, shkruan B92.
Duket se mundësia e takimit është krijuar nga Franca dhe Gjermani, teksa dhe këshilltari i Presidentit, Bekim Çollaku ka konfirmuar pjesëmarrjen e Thaçit në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.
“Po e konfirmoj pranimin e ftesës për Presidentin e Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Berlin me 29 prill”, ka thënë Çollaku për “Gazetën Express”.
Vuçiç ka thënë dhe më herët se shumë shpejt Franca dhe Gjermania do të përfshihen në çështjen e zgjidhjes së problemit mes Kosovës dhe Serbisë.