Pasi qeveria japoneze njoftoi se do të dyfishojë shpenzimet ushtarake në 5 vitet e ardhshme, mesa duket vendimi nuk i ka pëlqyer Kremlinit, i cili ka kërcënuar me “masa reagimi”.
“Ne paralajmërojmë se nëse kjo praktikë vazhdon, do të jemi të detyruar të marrim masat e duhura si kundërpërgjigje për të bllokuar kërcënimet ushtarake ndaj Rusisë”, tha zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Andrei Rudenko.
Nga Moska duket e pamundur vendosja e një dialogu për një traktat paqeje me Japoninë për shkak të “kursit antirus” që ndjekin autoritetet japoneze, sipas perceptimit të tyre. Sipas zyrtarit të lartë rus, “kërcënimet e drejtpërdrejta” drejtohen kundër vendit të tij nga Tokio.
“Me fillimin e një operacioni të posaçëm ushtarak në Ukrainë, administrata Kishida (kryeministri i Japonisë), iu bashkua në mënyrë aktive fushatës rusofobike të udhëhequr nga Perëndimi”, shpjegoi zyrtari.
Reagimi i Rusisë vjen pas njoftimit të kryeministrit Fumio Kishida për të dyfishuar shpenzimet ushtarake gjatë pesë viteve të ardhshme. Ky shpenzim do të rritet deri në 2% të PBB-së në vitin 2027, duke thyer kështu tavanin e vendosur në 1%.
