Përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale është bërë tashmë pjesë e jetës së përditshme. Njerëzit në të gjithë botën u drejtohen atyre për përgjigje edhe për pyetjet më të thjeshta, ndërsa ato kanë ofruar zgjidhje edhe për çështje të përditshme që më parë mund të kenë dashur më shumë kohë për t’u zgjidhur.
Megjithatë, përdorimi i inteligjencës artificiale ka ngritur gjithashtu shumë pyetje në lidhje me sigurinë e të dhënave personale. Kjo është arsyeja pse Suedia po ndërmerr hapa për të ndaluar përdorimin e ChatGPT dhe Claude nga punonjësit e administratës suedeze.
Ndalimi hyri në fuqi të hënën, më 26 tetor. Vendimi erdhi pas një auditimi të mjeteve të inteligjencës artificiale të përdorura nga punonjësit e Agjencisë Suedeze të Transportit në fillim të këtij viti. Auditimi identifikoi praktika problematike gjatë përdorimit të platformave për punë zyrtare.
Autoritetet kanë shprehur shqetësime se futja e informacionit të ndjeshëm në modelet e inteligjencës artificiale, pa një marrëveshje specifike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave, mund të çojë në ruajtjen ose përdorimin e tij për trajnimin e modeleve.
Mikael Wettercrantz, drejtor i digjitalizimit në zyrat e qeverisë suedeze, paralajmëroi se përdorimi i mjeteve digjitale të pamiratuara, mund të ketë pasoja për sigurinë e informacionit.
Cilat mjete të inteligjencës artificiale lejohen?
Si alternativë, qeveria suedeze sugjeron Microsoft Copilot, i cili ka kaluar një shqyrtim sigurie dhe mbulohet nga një marrëveshje përkatëse për mbrojtjen e të dhënave midis Microsoft dhe qeverisë suedeze.
Nëpunësit civilë do të jenë ende në gjendje të përdorin mjete të inteligjencës artificiale për punën e tyre, por në kushte më të rrepta sigurie. Një numër i kufizuar punonjësish do të jenë në gjendje të vazhdojnë të përdorin ChatGPT dhe Claude, ekskluzivisht përmes një paltforme të posaçme për asistencë digjitale të zhvilluar nga shteti suedez.
Sipas transmetuesit publik suedez, Sveriges Radio, kufizime të ngjashme janë vendosur ndaj Agjencisë Suedeze të Taksave dhe Shërbimit Kombëtar për Kujdesin Institucional.
ChatGPT dhe Claude i bashkohen DeepSeek në listën e mjeteve të inteligjencës artificiale që nuk janë miratuar nga qeveria suedeze për shkak të shqetësimeve për sigurinë e të dhënave.
