Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti, duke folur per mediat mbi situatën e gripit në Shqipëri tha se programi i vaksinimit të gripit është shumë mbrapa.
Alimehmeti vuri në dukje se ndonëse presupozohej që brenda tetorit të mbuloheshin 75 për qind të personave vunerabël, vaksina zhdoganohet në Shqipëri në fund të tetorit.
“Jemi në janar, periudha e dimrit është klasike për sëmundjet respiratore. Për dy sezone kemi pasur pak ose aspak qarkullim të virozëve dhe pritej që viti që vjen të jetë diçka më e vështirë. Ne pamë Australinë, e pamë që erdhi më rëndë. Kjo situatë erdhi edhe në Shqipëri. Duhet marrë parasysh që edhe programi i vaksinimit është shumë mbrapa. Brenda tetorit presupozohet që 75 për qind e personave vunerabël të jetë e mbuluar. Ndërkohë në Shqipëri vaksina zhdoganohet, futet në fund të tetorit. Këto viroza hyjnë te familja e gripit. Kjo ndodh veçanërisht te fëmijët, që gjatë këtyre viteve s’kanë qenë të imunizuar”, u shpreh Alimehmeti.
Alimehmeti thotë se gripi godet fëmijët më fort se sa Covid-19.
“S’është Covid, është grip. Fatmirësisht Covid-i s’godiste fëmijët kaq fort sa gripi. Fatmirësisht humbje jete nuk ka. Por ky kuadri klinik me temperatura 39-40, më lodhje të madhe…Duhet të marrim parasysh që trupi e rrit temperaturën që t’i bëjë ballë virusit. Po t’i shohim 380 rastet në spital, jam i bindur që ¾ s’kanë qenë për spital, por është shqetësimi i prindërve. Numri i mjekëve për banorë është i vogël në Shqipëri dhe ku do shkojnë, në spital do shkojnë. Kjo trajtohet si virozë, nuk do antibiotik. A ka raste që mund të agravohen? Patjetër që ka, por rutina është që pas 3-4 ditësh situata kthehet në normalitet. Dikur edhe Covid-i te familja e gripit do të shkojë”, u shpreh mjeku.